Është ndarë nga jeta miku i madh i Gjimnazit „Loyola“, profesori i shquar i latinishtes, P. Peter Leutenstorfer SJ
Lajmi se nga kjo botë është larguar intelektuali i rrallë e profesori i gjuhës latine, P. Peter Leutenstorfer SJ (1928-2021), për ALG „Loyola-Gymnasium“ është i trishtë dhe paraqet një humbje të pakompenzueshme. Ai, që në ditët e para të themelimit të shkollës sonë, me gjithë shpirt u angazhua për të vënë bazat e departamentit të latinishtes, duke i trajnuar mësimdhënësit tanë, si këtu në Kosovë, por edhe gjatë vizitave në Kolegjin Sankt Blasien në Gjermani. Ai qe pedagog i shkëlqyeshëm, njohës i thellë i gjuhëve klasike, dhe, para së gjithash, një intelektual model, i pajisur me dashurinë për njeriun, duke u bërë i veçantë, jo vetëm për „Loyola-Gymnasium“, por edhe më gjerë në Kosovë. Po aq i dashur e miqësor, P. Leutenstorfer SJ ishte dhe për nxënësit tanë. Ngrohtësia që ai rrezatonte, i bënte të gjithë ta donin dhe ta respektonin dhe me shumë gëzim pritnin ta takonin kur vinte nga Gjermania, gjatë leksioneve të tij, apo edhe aktiviteteve të ndryshme kulturore. P. Peter Leutenstorfer SJ nuk është më me ne në këtë botë vetëm fizikisht. Shpirti i tij, tashmë është në parajsën qiellore, me dashurinë e Hyjit dhe përjetësinë e pafundme, ku lutemi të pushojë në paqe shpirti i Tij! Me dhembje e pikëllim për humbjen Tuaj, por krenarë që ju patëm e mësuam nga Ju, P. Peter Leutenstorfer SJ! U prehsh në paqen e Zotit!
